Abin Kurti në kërkim të “luftës së tij”, për të çliruar Kosovën nga Perëndimi - NACIONALE

Abin Kurti në kërkim të “luftës së tij”, për të çliruar Kosovën nga Perëndimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar thelbin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, i cili parasheh që Kosova të shtyj çështjen e targave dhe ajo çështje të përfshihet në bisedimet finale mes dy vendeve në kuadrin e planit Franko-Gjerman. Plani në vetvete është një shans i mirë në përparimin e çështjes së Kosovës pasi lejon dy vendet të mos njohin njëra tjetrën, por të ruajnë itnegritetin e kufijve të tyre dhe të mos pengojnë të tretët në njohjen e Kosovës.

Praktikisht plani i lejon Kosovës të avancojë njohjen ndërkombëtare, të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare përfshi dhe OKB, me ndihmën e Perëndimit dhe të normalizoj raportet me Beogradin nga pozitat e një vendi të njohur në mënyrë të plot ndërkombëtarisht.

Shkruan: Mero Baze

Albin Kurti ka refuzuar bisedimet e sotme, siç e tha dhe vet, duke fajësuar Bashkimin Evropian duke shënuar një rekord të zi në historinë e re të Kosovës. Prej vitit 1999, çdo hap përpara i Kosovës, ka qenë i bazuar në faktin që Kosova ka qenë në anën e Perëndimit dhe fajtor ka qenë Serbia.

Sot është hera e parë që një kryeministër i Kosovës, fajësojnë perëndimin për ofertën për Kosovën dhe Serbia është në krah të perëndimit. Është pak a shumë ajo që i ndodhi Milosheviqit më 1999, kur ju ofrua Marrëveshja e Rambujes dhe ai fajësoi Perëndimin se ishte në anën e shqiptarëve dhe u përballë me të.

Sot zyrtarisht Kosova po akuzon Bashkimin Evropian dhe SHBA se po ndihmon Serbinë dhe kryeministri i saj, po i tregon muskujt të dyve bashkë.

Nuk ka nevojë të themi që është një ditë e zezë dhe një shans i humbur për Kosovën që të ruaj aleancën me Perëndimin dhe të avancojë njohjen e saj ndërkombëtare. Ajo që është e nevojshme tu shpjegojmë shqiptarëve atje por dhe këtu në Shqipëri, është përse e bën Albin Kurti këtë gjë.
Dhe ka një shpjegim bazuar tek personaliteti i tij politik, e mbi të gjitha tek historia e tij.
Albin Kurti është kapur pas çështjes së drejt por jo vendimtare për targat, për të tërhequr një konflikt në Kosovë, kësaj radhe jo vetëm me Serbinë por dhe me Perëndimin, pasi nuk përballet dot me atë që ka projektuar për veten për historinë e tij dhe mbi të gjitha për atë që u ka premtuar elektoratit të vet.

Ai nuk vë dot në jetë asnjë premtim elektoral , nuk krijon dot, dhe ska si të krijoj, një shtet të begatë pa qenë një shtet i sigurt, e mbi të gjitha nuk heroizohet dot pa pasur një konflikt. Ndryshe do ti duhet të dështoj me turp e të ik në shtëpi.

Në një farë mënyre ai kërkon të shpik një luftë të tij për Kosovën edhe pse mund ta humbas atë. Duke projektuar veten në histori, duke qenë se atij i mungon kontributi në historinë e Kosovës edhe për shkak të moshës, duke qenë se ai nuk i përket as themeluesve të shtetit as heronjve të luftës, ai kërkon të provokoj Perëndimin të zgjedh mes tij dhe Kosovës e pastaj mes Kosovës dhe Serbisë. Në një farë mënyre ai po ëndërron atë që shumicën e shqiptarëve e tmerron që Perëndimi të zgjedh të jetë kundër Kosovës dhe pro Serbisë, për shkak të tij dhe ai të dal në histori si viktimë e një komploti perëndimor që e ka vrarë atë bashkë me Kosovën.

Kjo është ndoshta gjëja më e lig që dikush ëndërron për Kosovën. Vetëm serbët e kanë të drejtën legjitime ta ëndërrojnë këtë.

Por para se Perëndimi të zgjedh mes Kosovës dhe Serbisë, Perëndimi në fillim do të duhet të zgjehd mes Albin Kurtit dhe Kosovës.

Albin Kurti nuk është babai i Kosovës, dhe as ka hipotekën e saj dhe historisë së saj. Madje ai pikërisht se nuk ka hipotekën e historisë së saj, kërkon të ribëj një histori të re, të vetën, duke provokuar perëndimin se sa larg mund të shkoj duke penalizuar Kosovën për shkak të tij.

Abin Kurti është në kërkim të “luftës së tij”, për të çliruar Kosovën nga Perëndimi, për të zhbërë gjithçka që është bërë deri më sot.

Mes Albin Kurtit dhe Kosovës, Perëndimi vazhdon të jetë me Kosovën. Por mes Perëndimit dhe Albin Kurtit, shqiptarët duhet të jenë me Perëndimin, për ta bërë më të lehtë betejën e Perëndimit për shqiptarët. Edhe kundër ndonjë “shqiptari”.

Lajme të ngjashme