Gjini: Dështimi i seancës konstituive, skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe - NACIONALE

Gjini: Dështimi i seancës konstituive, skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive.

Në një konferencë për media, ai ka thënë dështimi i seancës konstituive është skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe.

Sipas tij, ky bllokim po bëhet përmes një koordinimi të dukshëm me Listën Serbe.

“Kush e di për të satën herë, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe po ndihmon që Albin Kurti ta zhvillojë agjendën e vet qysh i konvenon. Është një maskaradë për ta zvarritur procesin ashtu siç u përshtatet atyre”, ka deklaruar ai.

Gjini theksoi se vendimi i Aleancës për të mos u bërë pjesë e këtij procesi tashmë është zbardhur plotësisht dhe u bëri thirrje edhe partive të tjera opozitare që të ndjekin të njëjtin hap.

“Sot të gjithë e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj maskarade. I ftoj, qysh i kam ftuar edhe më herët, edhe dy partitë e tjera në opozitë që mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade”, është shprehur ai, duke dhënë detaje tjera.

“Prej korrikut ju kam treguar që kjo ka për të ndodhur. Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet ka refuzuar të merret me ofertën tonë. Vetë fakti që kanë refuzuar, ka treguar që ky ka qenë qëllimi”, është shprehur Gjini.

Sipas tij, VV-ja ka për qëllim dërgimin e vendit drejt zgjedhjeve të reja në fund të vitit.

“Duhet të mbërrihet së paku data 30 shtator, në mënyrë që kur të kalkulohet edhe 60-ditëshi, edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara ta mbërrijë datën 27 dhjetor. Pse datën 27 dhjetor? Sepse këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë këtu. Jeta është bërë më e rëndë”, ka thënë ai.

Gjini bëri thirrje që t'i jepet fund dëmtimit të shtetit për interesa të një njeriu të vetëm, duke e krahasuar situatën aktuale me zhvillimet e dy viteve më parë. “Mos ia bëni këtë dëm Kosovës, që dy vite po zvarritemi në procese për shkak se një njeri po dëshiron ta sundojë Kosovën me gjithçka. Ky nuk dëshiron të qeverisë, ky dëshiron të sundojë. Ky ka qenë skenar që nga fillimi. Ju kemi thënë, you kemi treguar fiks cili është skenari dhe ky skenar po realizohet në vitin 2025. Para dy viteve këtë mundësi ia ka dhënë Vjosa Osmani, kurse sot po ia jep Lista Serbe, fiks të njëjtën gjë”.

Lajme të ngjashme