Çmimet dhe zgjedhjet: Si ndikon fuqia berëse në votën e qytetarëve?
Shkruan: Shenoll Muharremi
Pse janë çmimet e rëndësishme për zgjedhje? Njëherë po shkatërrohet fuqia blerëse e qytetarëve dhe familjeve, e pastaj si 'karotë' po ju ofrohet rritja e pagave gjatë zgjedhjeve. Kjo i bjen si me ta ndalë oksigjenin ose ushqimin... e pastaj me të ofru infuzion. Nuk është rritje e pagave, është vetëm mbijetesë. Rritje e pagave është nëse ti mundesh me ble më shumë pas rritjes sesa më herët para rritjes së çmimeve.
Mirëqenia e qytetarëve varet nga fuqia blerëse e tyre. Andaj, një indikator që duhet të shikoni është kostoja e jetës. Kostoja e jetës në fillim të mandatit dhe në fund. Këtu i kemi disa nga çmimet e produkteve esenciale: sa ishin në fillim të mandatit qeveritar dhe sa janë kur po përfundon mandati i qeverisë.
Në fillim kemi pasur rritje astronomike të çmimeve. Tash, inflacioni duket i ulët, por çmimet jo; disa janë mbi 100% më të larta se para katër viteve. Fillimisht qeveria e keqmenaxhoi inflacionin, rritjen e çmimeve, dhe u shkatërrua fuqia blerëse.
E tash, kur qytetari është në gjunjë, politika dhe qeveria i ofrojnë "rritje të pagave". Fillimisht shkatërrim, e tash rikuperim, por me kusht: votën. Secila parti garon kush i rrit më së shumti pagat. E pagat nuk po rriten, vetëm po indeksohen me inflacionin, e as kjo nuk po ndodh plotësisht, sepse disa çmime janë 60%, 70% e madje 117% më të larta.
Ajo që ka ndodhur me ekonominë dhe çmimet është e jashtëzakonshme dhe nuk ka ndodhur prej dekadash. Inflacioni ka qenë fenomen global, por qeveritë e ndryshme e kanë menaxhuar me metoda të ndryshme. Në Kosovë, duket se inflacioni nuk është menaxhuar mirë. Në fakt, nuk është menaxhuar fare.
Ka pasur raste kur është vënë benzinë në zjarr me vendime qeveritare, ku vetëm është rritur inflacioni, sidomos kur qeveria krenohej me rritje ekonomike, ndërsa Gjermania ishte në recesion. Ideja kryesore e menaxhimit të inflacionit ka qenë "shkatërrimi" i kërkesës në treg. Ule kërkesën, dhe pastaj çmimet stabilizohen. E kundërta ka ndodhur në Kosovë.
Inflacioni është një fenomen jashtëzakonisht i rrezikshëm për ekonominë. Recesioni është shumë më pak i dëmshëm për ekonominë, sepse vetëm nuk kemi rritje. Me inflacion kemi rritje të çmimeve dhe zhvlerësim të fuqisë blerëse. E kur rriten çmimet, ato zakonisht nuk bien më. Inflacioni "ulet," por çmimet mbeten të larta. Tani kemi inflacion rreth 1%, por çmimet janë rreth 40% më të larta në indeks, ndërsa disa, siç shihet në grafikon, janë mbi 50%.
