Zyrtari izraelit: S’do t’i ofrojmë kundërpropozim Hamasit, synojmë presion për t’ia ulur kërkesat - NACIONALE

Zyrtari izraelit: S’do t’i ofrojmë kundërpropozim Hamasit, synojmë presion për t’ia ulur kërkesat

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli është duke punuar për t’i bërë presion Hamasit për t’u tërhequr nga kushtet e tij “deluzive” për një marrëveshje të mundshme për lirimin e pengjeve dhe nuk do t’i ofrojë propozime të reja, tha të enjten një zyrtar izraelit.

Hamasi këtë javë propozoi një plan armëpushimi prej katër muajsh e gjysmë, gjatë të cilit pengjet do të liroheshin në tri faza dhe pastaj lufta do të përfundonte, si përgjigje ndaj një propozimi të dërguar javën e kaluar nga ndërmjetësuesit nga Egjipti e Katari e të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Për më tepër, në propozimin e Hamasit kërkohen tërheqja e ushtarëve izraelitë nga Gaza e ruajtja e pushtetit të grupit në enklavën palestineze, si dhe lirimi i 1.500 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

“Caku kryesor tani është që të krijohet presion nga amerikanët dhe vendet e tjera ndaj Katarit, e nga atje ndaj Hamasit, shtuar presionit ushtarak, për t’i zbritur ata [udhëheqësit e Hamasit] nga kërkesat e tyre deluzive” – tha zyrtari izraelit.

“Izraeli do të vazhdojë që të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të arritur një marrëveshje, por parimi se ne nuk do të ndalemi së luftuari deri në arritjen e të gjitha qëllimeve të luftës mbetet në fuqi” – shtoi ai.

“Tash për tash, e tëra që ka mbetur është që të bëhet presion” – tha më tej zyrtari izraelit.

Lajme të ngjashme