Zyrtari i PDK-së: Vendimi rreth aplikimit për anëtarësim në BE, akt arrogant dhe i papërgjegjshëm
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, ka kritikuar veprimin e institucioneve të Kosovës për të nënshkruar aplikacionin për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar një veprim i tillë është akt arrogant dhe i papërgjegjshëm.
Sipas tij, ky veprim po bëhet pa koordinim me vendet anëtare të BE-së.
“Vendimi për të aplikuar sot për të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE është një akt arrogant e i papërgjegjshëm që i bën karshillik partnerëve të Bashkimit Evropian të cilët pafund herë e kanë ripërsëritur se arritja e një marrëveshje është rruga e vetme që zhbllokon integrimin Euro-Atlantik të Kosovës. Kjo gjë u ritheksua edhe në deklaratën e Tiranës të samitit BE-Ballkan Perëndimor, ku thuhet se BE pret progres konkret nga të dy Palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe kërkojnë që ‘mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut’”, ka shkruar Nurellari.
Sipas tij, në të njëjtën mënyrë Qeveria kishte vepruar edhe kur ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Por problemi më i madh është që qeveritarët aktualë nuk mësojnë as nga pësimi, sepse të njëjtën aventurë bënë edhe në 12 maj të këtij viti duke aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës pa përgatitur paraprakisht terrenin me partnerët. Menjëherë pas aplikimit erdhi shuplaka e Francës, ambasadori i së cilës deklaroi se ‘Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet’. Për rrjedhojë aplikimi i Kosovës për Këshill të Evropës ka ngelur në sirtar dhe njësoj ka për të ngelur në sirtar edhe aplikmi për BE nëse nuk ndërmerren hapa konkret në procesin e dialogut”, ka shkruar ai.