Zyrtarë të lartë të BE-së do t’i bojkotojnë takimet joformale të organizuara nga Hungaria - NACIONALE

Zyrtarë të lartë të BE-së do t’i bojkotojnë takimet joformale të organizuara nga Hungaria

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë të lartë të BE-së do të bojkotojnë takime joformale të organizuara nga Hungaria gjatë kohës që ky shtet e mban presidencën e përkohshme të bllokut, pasi kryeministri hungarez me qëndrime pro-ruse, Viktor Orban, zhvilloi një varg takimesh mashtruese me udhëheqës të huaj për Ukrainën që i zemëruan partnerët evropianë.

Vendimi shumë i pazakonshëm që presidentja e Komisionit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni t’i bojkotojnë takimet u mor “pas zhvillimeve të fundit që e shënuan fillimin e presidencës hungareze [të BE-së]” – tha të hënën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

Hungaria e mori presidencën e BE-së më 1 korrik dhe që nga ajo ditë, Orbani i ka vizituar Ukrainën, Rusinë, Azerbajxhanin, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara në atë që e ka quajtur “mision i paqes” me qëllim të ndërmjetësimit të përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton gazeta “The Guardian”.

Ky veprim zemëroi shumë udhëheqës në BE, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar paraprakisht për planet e Orbanit. Qeveria e tij është miqësore ndaj Rusisë dhe ka dalë kundër politikës së shumicës së vendeve të BE-së në përkrahje të Ukrainës.

Ministri për Evropë i Hungarisë, Janos Boka, e kritikoi vendimin e Komisionit Evropian, duke thënë se ky institucion “nuk mund t’i përzgjedhë sipas dëshirës institucionet dhe shtetet anëtare me të cilat dëshiron të bashkëpunojë”.

Vendimi i Komisionit Evropian vlen për takimet joformale të organizuara nga Hungaria. Shërbyes të lartë civilë do të marrin pjesë në vend të zyrtarëve të lartë, si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Lajme të ngjashme