Zgjerohen hetimet për manipulim votash në Prizren, 5 persona të ndaluar për 48 orë
Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet për grupin e dytë të dyshuarve në rastin e manipulimit të votave gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën Komunale të Numërimit.
Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë intervistuar 28 të dyshuar dhe 6 dëshmitarë. "Pesë prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë," njoftoi Policia.
Katër të ndaluar janë kryesues komisionesh, të dyshuar për "Falsifikimin e rezultateve të votimit" sipas nenit 216 të KPRK-së. Personi i pestë është Koordinatori i KKZ-së për Prizrenin, i dyshuar për "Keqpërdorim të pozitës zyrtare" sipas nenit 414.
Prokuroria do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave të sigurisë për të pandehurit.