Zgjedhjet lokale: Mërgimtarët nga Gjermania me më së shumëti të regjistruar, Zvicrra e dyta - NACIONALE

Zgjedhjet lokale: Mërgimtarët nga Gjermania me më së shumëti të regjistruar, Zvicrra e dyta

11 muaj më parë

nga NACIONALE

46 mijë e 15 shtetas të Kosovës nga 46 shtete të ndryshme të botës, janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.

Kjo shifër është bërë e ditur pas përfundimit të afatit për regjistrim nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë për KosovaPress, se të dhënat përfundimtare do të publikohen në javën e parë të muajit shtator, me rastin e certifikimit të listës së votuesve.

“Nga data 23 korrik dhe deri në përfundim të afatit, më 29 gusht, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar 56,778 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 46,015, ndërkaq janë refuzuar 10,094 të tjera”, ka thënë Elezi.

Elezi ka sqaruar se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesi nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës, duke kujtuar se “procesi i regjistrimit nuk ka qenë përjashtues, pasi çdo aplikues i refuzuar është njoftuar për arsyet e refuzimit dhe për mundësinë e ri-aplikimit duke paraqitur dokumentet e domosdoshme për regjistrim”.

Sipas të dhënave të KQZ-së, komunat me numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga jashtë Kosovës, nga mbi 3 mijë sosh, janë: Suhareka (3,458), Gjakova (3,308) dhe Dragashi (3,066).

Ndërkaq, sipas KQZ-së, Gjermania me 21,500 dhe Zvicra me 11,024 janë shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar për votim me postë nga jashtë Kosovës.

Elezi ka sqaruar se procedurat specifike për votim përmes postës do të publikohen shumë shpejt nga KQZ, derisa votimi do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor.

Lajme të ngjashme