Zelensky thotë se Ukraina ka çliruar 41 vendbanime në jug të vendit
Gjatë fjalimit të tij të fundit, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka folur rreth arritjeve më të fundit të forcave ushtarake të vendit.
Ai ka njoftuar se deri më tani, ushtria ukrainase ka çliruar 41 vendbanime në jug të vendit. Megjithatë Zelensky bëri të ditur edhe për vrasjen e një numri të papërcaktuar të ushtarëve gjatë luftimeve.
"Sot kemi një lajm të mirë nga jugu. Por, megjithëse jemi të gëzuar, duhet të kujtojmë tani dhe përgjithmonë se çfarë do të thotë kjo lëvizje - çdo hap i forcave tona mbrojtëse përfaqëson jetë të dhëna për lirinë e ukrainasve," është shprehur ai.
Kujtojmë se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, në një bisedë me Sergei Surovikin, komandantin e forcave ruse në Ukrainë, dje urdhëroi tërheqjen e ushtrisë ruse nga Kherson. Megjithatë, Ukraina është ende skeptike ndaj këtij urdhëri dhe beson se mund të jetë një kurth.
