Presidenca pas gati dy jave kërkon konstituimin e Kuvendit “në përputhje me Aktgjykimin” e Gjykatës Kushtetuese - NACIONALE

Presidenca pas gati dy jave kërkon konstituimin e Kuvendit “në përputhje me Aktgjykimin” e Gjykatës Kushtetuese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gati dy javë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe sulmeve paraprake që i bëri ndaj institucionit më të lartë të interpretimit të Kushtetutës duke tërhequr edhe një lëndë nga interpretimi, Presidenca e Kosovës ka dalë me një komunikatë duke kërkuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dhe madje duke e quajtur edhe “urgjencë shtetërore”.

“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”.

“Zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, thonë nga Presidenca.

Ky institucion apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, “në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”.

Lajme të ngjashme