VV kthehen te gjeneza: Pacolli dhe Mihali akuzojnë ish-partitë opozitare për rreshtim me Listën Serbe - NACIONALE

VV kthehen te gjeneza: Pacolli dhe Mihali akuzojnë ish-partitë opozitare për rreshtim me Listën Serbe

2 orë më parë

nga NACIONALE

Edhe pse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka bërë thirrje subjekteve parlamentare që të bisedojnë për gjetjen e një zgjidhjeje, në realitet, siç duket, nuk janë të interesuar, pasi ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë të VV-së po vazhdojnë me linçime dhe akuza ndaj subjekteve të tjera ish-opozitare, duke i akuzuar se po rreshtohen me Listën Serbe.

Pas Dejona Mihalit, e cila sot kishte shkruar se “Rikthehet grupi PLAS”, duke aluduar në PDK, LDK, AAK dhe Listën Serbe, edhe Fitore Pacolli, deputete e zgjedhur dhe ish-ministre në detyrë, ka bërë akuza të rënda ndaj ish-partive opozitare, duke thënë se po veprojnë kundër interesit shtetëror dhe janë rreshtuar me Listën Serbe.

Pacolli ka reaguar pas hedhjes së vezëve ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke ironizuar veprimin e opozitës dhe duke e akuzuar atë se po vepron kundër interesit të shtetit.

“E sot, në vend se të mbrojnë interesin e shtetit, rreshtohen në të njëjtën linjë me Listën Serbe për të bllokuar institucionet”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka krahasuar veprimet e opozitës me protestat e Vetëvendosjes në të kaluarën, duke thënë se VV-ja protestonte “për të mbrojtur territorin e Kosovës e kundër Gjykatës Speciale”, ndërsa opozita, sipas saj, po proteston për shkak të humbjes së privilegjeve.

Pacolli ka deklaruar se sa më shumë që opozita bllokon dhe bashkohet kundër Kurtit, aq më shumë do të bjerë mbështetja për të.

“Shteti nuk ndalet. VVazhdojmë!”, ka përfunduar ajo.

Lajme të ngjashme