Verifikuesi i fakteve s'e kupton sarkazmën e një qytetari me Gazmir Racin në Facebook, e cilëson si "fake news"
Populli ynë e ka një proverbë interesante kur thotë "kur s'ke çka bën, luje derën". E pikërisht kjo i shkon për shtat asaj që është bërë së fundi nga verifikuesi i fakteve Internews Kosova me një sarkazmë të bërë nga një influencer në Facebook. Por kjo "lëvizje e derës" mund të jetë e kushtueshme për lirinë e shprehjes.
Analisti Gazmir Raci del se i ka kontaktuar vetë 'verifikuesit e fakteve' të licencuar si palë të treta edhe në Facebook.
Ai madje me anë të një postimi edhe ka falenderuar portalin në fjalë.
Por, siç mund të evidentohet lehtë, njëra prej vegëzave të çon në profilin e Besnik Karaxhës - një person që përdor sarkazmën vazhdimisht për t'u shprehur.
Ai ka thënë "Pas debatit të mbrëmshëm, Gazmir Raci konvertohet në katolik".
Dhe siç mund të evidentohet lehtë, edhe audienca e tij e kuptoi natyrën e atij teksti: shumica dërmuese ishin me emotikonin "haha".
Por, si duket me ose pa qëllim ky fakt s'është kuptuar nga kompania e licencuar nga Facebook për të verifikuar faktet.
Ata e kanë klasifikuar si "fake news" ose "lajm të rremë" përkundër që Karaxha nuk po e jepte ndonjë lajm.
Një keqpërdorim i tillë i këtij mekanizmi të verifikimit të fakteve fare lehtë mund të përdoret edhe në të tjerë persona që përdorin sarkazmën si mjet për t'u shprehur.