“Veprime anarkike”, Deliu-Kodra: Kurti po tenton t’i delegjitimojë institucionet, nuk ndalemi deri në reflektim
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, duke e akuzuar se po bllokon qëllimshëm institucionet e Kosovës dhe se nuk po tregon gatishmëri për reflektim.
Deliu-Kodra ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke thënë se Rregullorja e Kuvendit duhet të respektohet nga të gjithë deputetët.
“Veprimet anarkike që i shohim të zotëri Kurtit, sjellja e tij me institucionet, delegjitimimi shumëvjeçar. Tash e disa vite ai bën përpjekje për të delegjitimuar institucionet e Republikës”, tha Deliu-Kodra në Klan Kosova.
Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i vazhdojë aktivitetet para Kuvendit, ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta, duke theksuar se partia e saj do të kërkojë respektimin e ligjshmërisë dhe të Kushtetutës.
“Nuk do të ndalemi derisa të ketë reflektim dhe të na lejohet ta ushtrojmë mandatin tonë”, deklaroi Deliu-Kodra.