Vazhdon lufta VV-SBAShK, deputeti kosovar e etiketon Ymerin si militant të PDK-së
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka hedhur akuza ndaj nënkryetarit të SBAShK-ut, Ymer Ymeri duke e etiketuar si militant të PDK-së.
Ai deklaroi se si politikanë kanë të drejtë të thonë që në elemente të caktuara, sindikata e SBAShK-ut është e politizuar, ndërsa më pas apostrofoi direkt njërin prej figurave kyçe të kësaj sindikate.
"Unë jam dakord në atë që qeveria nuk ka pse me ndërhy në reformimin e sindikatës, veçse duhet të pajtohemi për një gjë. Qeveria s'ka pse ta ketë një sindikatë në anën e saj. Ama qeveria ka të drejtë edhe ne si politikanë kemi të drejtë të themi që kjo sindikatë, në elemente të caktuara është e politizuar nga politikanët e vjetër. Unë mendoj që Ymer Ymeri është militant i PDK-së më i madh sesa Memli Krasniqi", tha ndër të tjerash Rrustemi.
Por, të rikthehemi vetëm pak pas në kohë. Viti 2019. Muaji Janar. Deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës atëbotë kritikonte qeveritarët, duke thënë se po të mos ishte për shkollën, ata kurrë nuk do të ishin aty ku ishin. Prandaj u dukej absurd roli i mësimdhënësve, thoshte atëherë z.Rrustemi.

