Ushtari francez vdes pasi qëllohet me armë në kokë gjatë “lojës” me kolegë
Një ushtar francez ka vdekur pasi u qëllua me armë në kokë përderisa po merrte pjesë në një lojë me ushtarë të tjerë gjatë një ndeje, sipas mediave lokale.
Ushtari Alexandre Lanckbeen ishte plagosur në mënyrë kritike gjatë incidentit që ndodhi të shtunën, kur po merrte pjesë në një ndejë ku kishte edhe alkool në një spital ushtarak në Clamart, në perëndim të Parisit, raporton televizioni BBC.
Sipas prokurorëve francezë, një pistoletë e mbushur me plumba u shkrep gjatë asaj që u përshkrua si lojë mes ushtarëve dhe një plumb e goditi në kokë ushtarin tashmë të ndjerë.
Guvernatori ushtarak i Parisit, Loic Mizon, tha se ai e mori me “pikëllim të thellë” lajmin për vdekjen e 20-vjeçarit të premten.
“Dua t’ua shpreh dhembshurinë time më të thellë familjes së tij dhe njerëzve të dashur dhe t’i siguroj për mbështetjen e plotë të forcave të armatosura” – tha ai në një shkrim në rrjetin X.
Sipas prokurorëve, të shtunën në mbrëmje, katër ushtarë kishin filluar të luanin një lojë të njohur brenda ushtrisë që e përfshinte përpjekjen për ta çarmatosur kolegun dhe për t’ia bërë të papërdorshme armën.
Arma zakonisht nuk është e mbushur, kur luhet kjo lojë, por në këtë rast kishte plumba, sipas mediave lokale.