Ursula von der Leyen: Besoj se Putini një ditë do të dalë para gjykatës
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen ka thënë se Vladimir Putin duhet të përballet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës në Ukrainë.
“Që Putini duhet ta humbasë këtë luftë dhe duhet të përballet me veprimet e tij, kjo është e rëndësishme për mua”, është shprehur ajo për kanalin televiziv të gazetës gjermane Bild të enjten.
"Ne mbështesim mbledhjen e provave me qëllim të procedimeve të mundshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare,” ka shtuar më tej ajo, duke iu referuar pretendimeve për krime lufte të kryera në Ukrainë.
“Kjo është baza e sistemit tonë juridik ndërkombëtar, që ne i ndëshkojmë këto krime dhe në fund të fundit, Putin është përgjegjës”, tha ajo.
E pyetur nëse Putini do të sillet një ditë para gjykatës, ajo u përgjigj: "Unë besoj se është e mundur".
