Çka po ndodh në Ukrainë, kush është duke fituar? - NACIONALE

Çka po ndodh në Ukrainë, kush është duke fituar?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ditët e fundit, forcat ukrainase kanë bërë përparime të shpejta duke rimarrë zona të mëdha nga Rusia, ndërsa ajo thotë se po rigrupohet dhe forcat e saj ende mbajnë rreth një të pestën e vendit.

Si ka ndryshuar konflikti?

Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, duke rrethuar kryeqytetin ukrainas Kiev. Ajo gjithashtu nisi sulme në jug, lindje dhe veri të vendit.

Në fillim të prillit, forcat ukrainase rimorën zona të mëdha rreth Kievit dhe Rusia u tërhoq.

Që atëherë, Rusia ka përqendruar operacionet e saj ushtarake në jug, lindje dhe veri-lindje të Ukrainës, duke kapur zona të mëdha.

Megjithatë, në fillim të shtatorit gjërat ndryshuan në mënyrë dramatike.

Në një ofensivë vendimtare në veri-lindje, Ukraina bëri që forcat ruse të tërhiqen, ajo pretendon se vetëm rreth qytetit të Kharkiv ka rimarrë 3,000 kilometra katrorë. Ndërsa, në total, Ukraina thotë se në shtator ka rimarrë më shumë se 8,000 km katrorë nga kontrolli rus - fitimet e saj më të rëndësishme territoriale që nga fillimi i luftës.

Qytetet Izyum dhe Kupiansk, për të cilat Ukraina thotë se u rimorën më 10 shtator, ishin të dy qendrat kryesore të furnizimit për forcat ruse. Si të tilla, ato përfaqësojnë përfitime të rëndësishme strategjike.

Gjithashtu, ekziston një kundërsulm ukrainas rreth rajonit Kherson në jug të vendit.

Instituti për Studimin e Luftës, thotë se trupat ukrainase u kanë shkaktuar një "humbje të madhe operacionale" forcave ruse.

Justin Bronk i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara tha se pozicionet ruse në Kharkiv kishin pësuar një "kolaps total", duke shtuar se tërheqja ruse ishte, " tërheqja më dramatike që kemi parë nga rusët që kur ata u tërhoqën nga Kievi në prill".

Si është përgjigjur Rusia?

Rusia konfirmoi se forcat e saj u tërhoqën nga Izyum dhe Kupiansk. Ai tha se kjo ishte një tërheqje strategjike për të "rigrupuar".

Ajo ka thënë gjithashtu se do të vazhdojë të synojë këto zona me sulme ushtarake. Por, duket se gjatë tërheqjes, ushtria ruse ka braktisur sasi të mëdha pajisjesh dhe municionesh.

Sa territor ka ende Rusia?

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, Rusia ende mban rreth 20% të Ukrainës.

Zonat janë kryesisht në rajonin lindor të Donbasit dhe në jug të Ukrainës kontinentale, si dhe në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Donbasi është një zonë kryesisht rusisht-folëse dhe pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, forcat pro-ruse pushtuan më shumë se një të tretën e rajonit. Ajo krijoi atje dy të ashtuquajturat republika popullore.

Zonat në perëndim të vendit, përfshirë Lviv, kanë përjetuar sulme me raketa, por nuk ka pasur asnjë përpjekje nga forcat ruse për të marrë dhe pushtuar tokën.

Çfarë dëshiron Rusia?

Rusia refuzon ta njohë pushtimin e saj si luftë dhe thotë se po ndërmerr një "operacion special ushtarak" në Ukrainë.

Kremlini thotë se operacionet e tij do të vazhdojnë "derisa të arrihen të gjitha detyrat e përcaktuara".

Kur nisi pushtimin në shkurt, presidenti Vladimir Putin tha se qëllimi i tij ishte "çmilitarizimi i Ukrainës". E një objektiv ishte të sigurohej që Ukraina të mos bashkohej me aleancën mbrojtëse perëndimore, NATO.

Qëllimi fillestar i Rusisë ishte të mposhte Ukrainën dhe të rrëzonte qeverinë e saj. Megjithatë, tani duket se i ka kufizuar ambiciet e saj në sigurimin e tokës në lindje dhe jug të Ukrainës.

Çfarë kërkon Ukraina?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se qëllimi i tij kryesor është të dëbojë të gjitha trupat ruse, të "ç'okupojë të gjithë territorin".

Zelensky ka bërë apel për më shumë fonde dhe pajisje për të mbajtur zonat e rimarrë nga Rusia, ndërsa armët perëndimore janë duke u përdorur shumë nga forcat ukrainase.

Sa njerëz kanë vdekur?

Të dyja palët kanë pësuar humbje, megjithëse asnjëra nuk publikon shifra të sakta.

Ukraina pretendon se ka vrarë më shumë se 50,000 trupa ruse dhe në fund të gushtit tha se kishte humbur rreth 9,000 personel ushtarak që nga fillimi i konfliktit.

Rusia rrallë zbulon vdekjet e trupave të saj. Numri më i fundit i vdekjeve ishte dhënë në mars, kur tha se 1,351 ushtarë rusë kishin vdekur që nga fillimi i pushtimit.

Por, në korrik, zyrtarët amerikanë vlerësuan se rreth 15,000 ushtarë rusë kishin vdekur.

Në luftë, kanë vdekur edhe civilë, në fillim të shtatorit, Kombet e Bashkuara vërtetuan më shumë se 5700 vdekje, duke thënë se numri mund të jetë edhe më i lartë.

Lajme të ngjashme