Ulqin: Shtetasi kosovar dyshohet se vrau bashkëshorten dhe i vuri zjarrin shtëpisë
Shtetasi i Kosovës, Bashkim Gashi (46 vjeç), është arrestuar në Ulqin nën dyshimin se ka vrarë bashkëshorten e tij jashtëmartesore, D.N. (36 vjeçe), shtetase e Shqipërisë, dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku jetonin në lagjen Kodre, shkruan Vijesti.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës. Policia u njoftua për zjarrin rreth orës 00:30, ku pas ndërhyrjes gjeti trupin e pajetë të viktimës. Trupi është dërguar për autopsi në Podgoricë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
I dyshuari Gashi ka mbetur i lënduar nga flakët. Ai u transportua fillimisht në Spitalin e Tivarit dhe më pas në Qendrën Klinike në Podgoricë për trajtimin e djegieve, ku ndodhet nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë.
Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë e ka kualifikuar veprën si "vrasje e rëndë". Policia ka mbledhur prova materiale dhe video-regjistrime për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.