Ukraina mund t’i padisë bankat amerikane e evropiane shkaku i tregtisë me Rusinë
Gazeta britanike, “Financial Times”, ka raportuar se Ukraina mund të padisë disa banka të ShBA-së e Bashkimit Evropian për shkak të tregtisë me naftë e gaz me Rusinë, të cilat i akuzon për financim të krimeve të luftës.
Qeveria ukrainase u ka thënë shefave të bankave amerikane e evropiane, përfshirë Jamie Dimon-in e bankës “JP Morgan Chase” dhe Noel Quinn-in e bankës HSBC, që ta ndërpresin financimin e kompanive që e tregtojnë naftën ruse.
Oleg Ustenko, këshilltar ekonomik i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i akuzoi këto banka për krime lufte. Ai u shkroi bankave këtë javë duke u kërkuar ndërprerje të lidhjeve me grupet që e tregtojnë naftën ruse dhe i shesin aksionet në kompanitë ruse të naftës e gazit, “Rosneft” e “Gazprom”.
Në letrat e dërguara nga këshilltari ukrainas, që u janë dërguar edhe bankave “Citigroup” e “Credit Agricole”, ato akuzohen për zgjatje të luftës duke u ofruar kredi kompanive që transportojnë naftë ruse dhe u thuhet se ato nuk do të lejohen që të marrin pjesë në rindërtimin e pasluftës në Ukrainë.