U djeg pak dera e një kishe në Prizren, reagon edhe ambasadori i ShBA-ve
Ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier pasi dera e Kishës së Shën Pantelijës u dëmtua gjatë mbrëmjes së kaluar.
Ambasadori i cili konfirmoi se sot ka realizuar një vizitë në Manastirin e Deçanit, në një shkrim në Facebook ka dënuar edhe këtë “incident”.
“Shfrytëzova po ashtu mundësinë që të dënoj këtë incident që targetoi Kishën Ortodokse Serbe të Shën Pantelijës në Prizren përgjatë festës së Pashkëve Ortodokse. Nxis autoritetet që ta hetojnë plotësisht krimin dhe t’i sjellin fajtorët para drejtësisë.” – ka deklaruar ai.
I also took the opportunity to condemn the troubling arson incident targeting the Serbian Orthodox Church of St. Panteleimon in Prizren over the Orthodox Easter holidays. I urge authorities to fully investigate the crime and bring the perpetrators to justice. 2/2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) April 18, 2023
Ndërkohë, në lidhje me këtë incident, policia e Kosovës ka njoftuar se në afërsi të kishës është vërejtur zjarri nga qytetari.
Personi që lajmëroi rastin, ka deklaruar se “të dyshuar të panjohur kanë tentuar ta djegin derën e hyrjes”.
“Patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje konfirmojnë se në vendin e ngjarjes kundërmon era e benzinës dhe është një shishe e plastikës që është djegur. Pasi që janë mbledhur provat dhe dëshmitë, në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ke rekomanduar që të iniciohet rasti Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.” – u bë e ditur tutje në komunikatë.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Lista Serbe duke e cilësuar se kjo ndodhi “si pasojë e retorikës ndezëse të regjimit të Albin Kurti”.
"Në ditën e dytë të Pashkëve si pasojë e retorikës ndezëse të regjimit të Albin Kurtit, një mjet shpërthyes është hedhur në kishën e Shën Panteleimonit në Prizren e cila për fat dhe falë një kalimtari të rastësishëm që ka reaguar nuk e ka shkatërruar plotësisht këtë vend të shenjtë,"- ka deklaruar Lista Serbe.