Tryeza e LDK-së për buxhetin: S'është zhvillimor, koeficientit 110 euro nuk është rritje reale
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka mbajtur tryezë me temën “Projekt-buxheti i Republikës sё Kosovës pёr vitin 2024”, në të cilën është kritikuar Qeveria Kurti.
Deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Arben Gashi e Hykmete Bajrami, kanë shprehur kritikat e tyre për buxhetin e vitit 2024.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se buxheti ka shkuar në subvencione dhe se rritja e koeficientit të pagave nuk është rritje reale.
“Këtë buxhet duhet ta analizojmë. Masivisht ka shkuar në subvencione. Një vit normal siç kemi qenë ne, 36 për qind është shpenzuar në investime kapitale ndërsa tani kemi rritje të subvencioneve. Rritja e koeficientit prej 5 euro nga 105 në 110 euro, nuk përbën rritje reale. Vlerësimet tona janë se kjo rritje është më e vogël se sa rritja e inflacionit.” – ka thënë Hoti.
Deputeti Gashi ka thënë se mungojnë projektet zhvillimore në buxhetin për vitin 2024.
“Mungojnë projektet zhvillimore dhe ideja se si të qeveriset vendi. Jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie dhe nuk kemi asnjë projekt madhor zhvillimor, kryesisht është marrë me çështje social.” – ka thënë Gashi, sipas EO.
E deputetja Hykmete Bajrami, kritikoi Qeverinë për ndarjen e mjeteve financiare për komuna.
