Trumpit i vendoset fotoja me Epsteinin në Kështjellën Windsor në Britani, arrestohen katër persona - NACIONALE

Trumpit i vendoset fotoja me Epsteinin në Kështjellën Windsor në Britani, arrestohen katër persona

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Katër persona janë arrestuar pas shfaqjes së fotografive të presidentit amerikan, Donald Trump, bashkë me të dënuarin për abuzim seksual, tashmë i ndjerë, Jeffrey Epstein, në Kështjellën Windsor në Britani, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë do të pritet nga Mbreti Charles gjatë vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.

Trumpi arriti në Britani të martën vonë në vizitën e dytë shtetërore dhe do të pritet nga mbreti të mërkurën në kështjellën e famshme, e cila ndodhet jo shumë larg Londrës.

Policia britanike tha në një deklaratë se katër personat e rritur u arrestuan nën dyshimin për komunikim me qëllim dashakeq pas një “projektimi të paautorizuar” në kështjellë. Katër personat e arrestuar po mbahen në ndalim, shkruan gazeta "The Guardian".

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar bënë publike një letër për ditëlindje, të cilën Trumpi gjoja ia kishte dërguar Epsteinit para më shumë se 20 vjetëve, edhe pse Shtëpia e Bardhë e ka mohuar autenticitetin e saj.

Kjo letër u shfaq përmes projektorit edhe në Kështjellën Windsor, bashkë me fotografi të viktimave të Epsteinit, klipe të reja rreth rastit me abuzime seksuale dhe raporte të policisë.

Publikimi i kësaj letre i ka dhënë vëmendje të re rastit që është bërë gjemb politik për presidentin amerikan.

Edhe pse ai u ka bërë thirrje përkrahësve që ta lënë pas këtë temë, e madhe ka mbetur etja për hollësi rreth krimeve të Epsteinit dhe për atë se kush tjetër ka mundur të jetë në dijeni për to ose ka qenë i përfshirë me të.

Lajme të ngjashme