Trumpi thotë se ShBA-ja duhet ta marrë Grenlandën që të mos pushtohet nga Rusia a Kina
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se vendit të tij i nevojitet Grenlanda për t’ua parandaluar Rusisë ose Kinës pushtimin e këtij ishulli në të ardhmen.
“Ne do të bëjmë diçka për Grenlandën, u pëlqeu atyre apo jo, sepse nëse ne nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin nën kontroll Grenlandën dhe ne nuk do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinje” – tha Trumpi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, në takim me shefat e kompanive të naftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi tha se ShBA-ja duhet ta marrë Grenlandën, edhe pse tashmë ka prani ushtarake në ishull sipas një marrëveshjeje të vitit 1951, sepse paktet e tilla nuk janë të mjaftueshme për ta garantuar mbrojtjen e saj. Ishulli me rreth 57 mijë banorë është territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
“Mbrohet pronësia. Nuk mbrohen qiratë. Dhe ne do të duhet që ta mbrojmë Grenlandën. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, do ta bëjnë Kina ose Rusia” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë diskutuar plane të ndryshme për ta vënë Grenlandën nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, përfshirë përdorimin e mundshëm të ushtrisë amerikane si dhe pagesat e njëhershme të drejtpërdrejta për banorët e ishullit si pjesë e përpjekjeve për t’i bindur ata që të ndahen nga Danimarka dhe potencialisht t’i bashkohen ShBA-së.
Udhëheqës në Danimarkë e në mbarë Evropën kanë reaguar me përbuzje ditëve të fundit ndaj komenteve të presidentit amerikan ose zyrtarëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë që kanë pretenduar se kanë të drejta mbi ishullin.
Të martën, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Britania dhe Danimarka lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën thanë se vetëm Grenlanda dhe Danimarka mund të vendosin për çështjet që ndërlidhen me raportet mes tyre./Nacionale