Tetë të plagosur nga një sulm me armë në Jerusalem, mes tyre pesë amerikanë
Të paktën tetë persona, përfshirë pesë amerikanë, janë plagosur në një sulm me armë zjarri që synonte një autobus pranë Murit Perëndimor në qytetin e vjetër të Jerusalemit mëngjesin e së dielës.
Policia tha në një deklaratë se “rreth orës 1:30 të mëngjesit me kohën lokale të dielën një terrorist i armatosur me armë qëlloi mbi një autobus dhe automjete në një parking pranë qytetit të vjetër të Jeruzalemit."
Sipas spitaleve, dy amerikanë janë duke u trajtuar në Qendrën Mjekësore Hadassah dhe tre në Qendrën Mjekësore Shaare Zedek. Ndërkohë, mediat izraelite kanë raportuar se katër viktima amerikane ishin turistë dhe anëtarë të së njëjtës familje.
Sipas shërbimeve të urgjencës, dy prej viktimave figurojnë në gjendje të rëndë, ndërsa gjashtë viktimat e tjera janë lënduar lehtë dhe mesatarisht.
Ambasada e ShBA-së në Jerusalem tha se ata janë "të tronditur dhe të pikëlluar" nga sulmi. Ata konfirmuan se mes viktimave ishin shtetas amerikanë dhe se janë duke mbledhur më shumë informacion.
