Të mbështetur nga Mamdani, dy kandidatë anti Izrael fitojnë në zgjedhjet paraprake në New York
Dy kandidatë kundër Izraelit, të mbështetur nga Socialistët Demokratë të Amerikës, Claire Valdez dhe Darializa Chevalier, i fituan të martën zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike në New York, duke shënuar sukses për kandidatët e përkrahur nga kryetari i qytetit, Zohran Mamdani.
Përpos Valdezit dhe Chevalierit, Mamdani e kishte mbështetur edhe Brad Landerin, majtist hebre dhe kritikues i Izraelit, i cili gjithashtu fitoi në zgjedhjet paraprake, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Mamdani kishte bërë fushatë të ngjeshur për këta tre kandidatë, të cilët retorikën kundër Izraelit e kishin bërë fokus të rëndësishëm në fushatat e tyre.
Fitoret e tyre dhanë shenjë se triumfi i Mamdanit në garën për kryetar të qytetit vitin e kaluar nuk ishte zhvillim i njëhershëm, thekson mediumi izraelit.
Valdezi e mposhti Antonio Reynoson me dallim të madh prej rreth 56 me 36 për qind të votave.
Valdezi dhe Reynoso janë progresistë, por Valdezi anoi më shumë drejt diskursit kundër Izraelit gjatë fushatës.