Sveçla për AP: Shohim përfshirje të drejtpërdrejtë të agjencive serbe të sigurisë në trazira
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, është deklaruar për agjencinë amerikane të lajmeve, “Associated Press”. Ai i akuzoi Serbinë dhe Rusinë për nxitje dhe përkrahje të trazirave në pjesën veriore të Kosovës.
“Ne shohim përfshirje të drejtpërdrejtë të Beogradit, jo vetëm në retorikën e tyre... por edhe në përfshirjen e drejtpërdrejtë të grupeve nga Serbia, përfshirë agjencitë e tyre të sigurisë. Kjo është fryrë dhe është importuar nga Serbia e Rusia, e ashtuquajtura vëlla i tyre i madh, për të nxitur dhunë në Kosovë”, tha Sveçla.
Të enjten do të zhvillohet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së.
Nabila Massrali, zëdhënëse e Komisionit Evropian për çështje të jashtme, para gazetarëve tha: “Të gjitha çështjet e hapura do të adresohen dhe duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Të dyja palët duhet t’u japin fund armiqësive të tyre në këtë pikë dhe të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme.”