Sveçla: Të sanksionohet Serbia që sulme si i Banjskës të mos përsëriten më
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që të sanksionohet Serbia për sulmin në Banhskë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.
Ministri Sveçla ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm që është mbajtur nën organizimin e presidencës spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut. Nga aty ka njoftuar për aktivitetin e tij në forum.
“Në Forumin e Ministrave të Brendshëm që është mbajtur sot nën organizimin e Presidencës Spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, diskutuam për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëritë tona, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit”, ka shkruar ai.
“Në fjalën time theksova angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, veçanërisht duke njohur faktin që institucionet tona dhe zyrtarët tanë, prej më shumë se dy vitesh janë ballafaquar me sulme të njëpasnjëshme terroriste në veriun e vendit tone.
Duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën Rreshter Afrim Bunjaku, ritheksova rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet e tilla të mos përsëriten më. Theksova se falë angazhimit dhe profesionalizmit të Policisë sonë, me 24 shtator u parandalua një katastrofë dhe u mbrojtën jetët e qytetarëve, të zyrtarëve të tjerë policor, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës sonë”, thotë Sveçla.
Tutje, ai njofton për prezentimin e tij.
“Prezantova angazhimet tona si institucione në fushën e drogave, migrimit, azilit dhe menaxhimit të integruar të kufirit si në aspektin e legjislacionit i cili është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së, bashkëpunimin me shtetet e rajonit në këto dhe me Agjencitë e BE-së në këto fusha.
Rikonfirmova gatishmërinë tonë të plotë për bashkëpunim dhe avansim të politikave që synojnë siguri, paqe e drejtësi për vendet tona dhe për rajonin tone”, thekson ai.
