Palokaj nga Brukseli: Pala kosovare ka pranuar draftin
Augustin Palokaj, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, ka thënë se në Bashkimin Evropian të enjten ekziston një optimizëm më i madh për arritjen e një dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij pala kosovare ka pranuar draftin në fjalë.
Në një lidhje direkte në KTV, Palokaj ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë edhe ndonjë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndonëse ka shtuar se nuk është e domosdoshme të ketë takim të përbashkët për t’u dakorduar për hollësitë.
“Pala kosovare ka pranuar draftin në fjalë, ndonëse po taktizohet se është pranuar si bazë e mirë për bisedime. Mund të ketë mundësi që gjërat të sqarohen në detaje. Ka mbetur për të sqaruar se çfarë do të bëhet me disa kërkesa që ka parashtruar Kosova. Nga burime diplomatike kam kuptuar se Kosova kërkon disa gjëra që nuk varen vetëm nga Serbia, por edhe nga BE-ja e bashkësia ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me avancimin e Kosovës në programet ndërkombëtare, programet që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës, si anëtarësimi në Partneritetin për Paqe të NATO-s, të ketë lëvizje drejt Këshillit të Evropës, sikur që të ketë lëvizje edhe në raporte me BE.” - ka thënë Palokaj. “Gjithsesi krahasuar me takimet e mëparshme, kësaj radhe optimizmi duket më i madh në BE”.
