Supremja ia uli dënimin vrasësit, vëllai i Gjyljeta Ukellës: Nga ky moment heqim dorë nga drejtësia - NACIONALE

Supremja ia uli dënimin vrasësit, vëllai i Gjyljeta Ukellës: Nga ky moment heqim dorë nga drejtësia

1 orë më parë

nga NACIONALE

Sot, Gjykata Supreme ka marrë vendim për uljen e dënimit ndaj Edmond Lajqit, duke ia zëvendësuar burgimin e përjetshëm me 30 vjet burgim.

Për këtë vendim ka reaguar vëllai i viktimës, Shpat Ukella, i cili, i revoltuar nga ky vendim, tha se nga ky moment heqin dorë nga drejtësia.

“Nuk deklarohemi më për media. Prej këtij momenti, heqim dorë nga drejtësia”, u shpreh ai për klan k.

Ndryshe, Lajqi ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Pejë më 27 dhjetor 2024, pasi u shpall fajtor për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Megjithatë, duke vendosur për ankesën e mbrojtjes, Gjykata Supreme e ka aprovuar pjesërisht ankesën dhe ka ndryshuar vendimet e dy instancave më të ulëta vetëm sa i përket lartësisë së dënimit.

Sipas komunikatës së Gjykatës Supreme, Edmond Lajqit i është shqiptuar dënimi me 30 vjet burgim, ku do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 16 prilli 2024.

Në arsyetimin e saj, Supremja ka bërë të ditur se nuk ka gjetur shkelje lidhur me fajësinë e të pandehurit apo cilësimin juridik të veprave penale.

Lajme të ngjashme