Sulmi ndaj policëve në veri, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin - NACIONALE

Sulmi ndaj policëve në veri, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin AD.

Ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale "Vrasja në tentativë", "Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare".

Këtë e konfirmoi Prokuroria Themelore përmes një komunikate, komunikatë të cilën mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Njoftimi i para pak çasteve:

Kërkohet paraburgim për sulmin ndaj policëve në Leposaviq

Mitrovicë, 17 korrik 2022 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.D., me datë 16 korrik 2022 në fshatin Llazhin të komunës së Leposaviqit, me vullnet dhe vetëdije ka ndërmarrë veprime me të cilat ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të njësisë NJKNSH të Drejtorisë së Policisë Kufitare.

Përderisa policët gjatë një pikë kontrolli kanë tentuar ta ndalojnë kamionin të cilin e ngiste i dyshuari A.D., i njëjti nuk i është përfillur urdhrave për të ndaluar kamionin, i cili gjatë ikjes me qëllim dy herë e godet veturën e policisë, ku edhe zyrtarët policorë si pasojë e goditjeve marrin lëndime trupore. Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë i dyshuari A.D., ikë këmbë drejt malit, mirëpo policët pas një ndjekje arrijnë ta arrestojnë të njëjtin.

I dyshuari i dytë në këtë rast U.R., dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin A.D., pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

Prokuroria Themelore Mitrovicë

Lajme të ngjashme