Inflacioni nuk është fatalitet, mund të shfrytëzohet për të shtëpijëzuar importin - NACIONALE

Inflacioni nuk është fatalitet, mund të shfrytëzohet për të shtëpijëzuar importin

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Gazmend Demolli:

Inflacioni sot në Evropë ka disa faktorë të ndryshëm, që të vënë një pas një janë duke krijuar një efekt top bore në vendet ku importi dominon prodhimtarinë vendore. Energjia është shtyesi kryesor në mënyrë direkte dhe indirekte. E ndikuar nga kriza globale dhe nga pamundësia e reaktivitetit imediat, në këtë fushë nuk do të ketë zgjidhje para vjeshtës, por konsumi dhe furnizimi do të balancohen brenda pak muajve. Drithërat, plehërat, vaji i lulediellit do të vazhdojnë të kushtojnë më shtrenjtë deri sa të vazhdojë lufta në Ukrainë, sepse edhe po të mbulohen kërkesat nga vendet tjera, ato do të vijnë me një kosto më të lartë për shkak se prodhimi i tyre do të bëhet në vendet më të zhvilluara dhe si rrjedhojë çmimet do të jenë konsekuente.

Faktori i fundit, që është më intrigues, është ai që lidhet me rënien e Euros ndaj valutave të tjera. Kjo rënje është e orkestruar nga Franca dhe Gjermania për të zbutur koston e shpenzimeve marramendëse publike në kohën e pandemisë, dhe duke qenë e qëllimshme, strategjike, duhet analizuar dhe kuptuar mirë, se çfarë hapash duhet që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë në mënyrë që edhe Kosova t’i korrë rezultatet e kësaj strategjije, dhe të mos gjendet në anën e humbësve.

Qëlliimi i rënies së Euros është që duke e bërë importin nga zona e Dollarit më të shtrenjtë për konsumatorin, të forcojë pozicionin e prodhuesit lokal ndaj atij të jashtëm, sidomos atij kinez. Si pasojë e dëmshme për konsumatorin është shtrenjtimi i derivateve të naftës, pra edhe i transportit. Por çmimet e derivateve janë kryesisht të përbëra nga taksat, prej të cilave përfiton shteti.

Çka duhet të ndërmarrë Qeveria?

Është urgjente që të reinforcohet strategjia e atdhesimit, shtëpijëzimit të prodhimit duke ndikuar pozitivisht vetëm në aspektin e prodhimit të brendshëm dhe duke vazhduar të penalizojë importin. Si?

Duhet ngritur pragu i tatimit në të ardhura për të gjitha pagat. Pra të lirohen nga tatimi në pagë ata që marrin deri në 800 Euro pagë mujore, blloku tjetër të kaloj në 1600, dhe eventualsht të shtohet një bllok 2400 për të kompenzuar dallimin. Kjo do t’i rriste automatikisht shumicën e pagave për 4% që do të mundësonte përballimin më të lehtë të inflacionit.

Hapi tjetër duhet të jetë drejt bizneseve, përmes lehtësimeve në tatim, shtyrjeve të afatit të pagesës së tatimeve dhe kontributeve, shtyrjen e orareve të punës për gastronominë dhe hotelierinë, por edhe forma të tjera të subvencionimit në sektorin energjetik, sidomos në derivate.

Për të financuar këtë shpenzim buxhetor, duhet të ngritet TVSH-ja për 1 ose 2 pikë. Kjo mund të ju duket e çuditshme sepse mund të rezultojë në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve, por duke e pasur parasysh ndihmen që do ju bëhet prodhuesve lokalë, kjo masë më së shumëti do të penalizonte prodhimet e importuara, e shumë më pak ato vendore. Çmimet gjatë periudhave inflacioniste ashtu kështu formohet të jenë në skajin maksimal të përballueshëm, një pikë TVSH më shumë o më pak nuk ndikon në caktimin e tyre.

Qëllimi i Qeverisë në këtë periudhë duhet të jetë riatdhesimi i prodhimtarisë, një sovranitet më të madh në prodhimet ushqimore, me synim sovranitetin e plotë. Duhet të arrihet niveli ku prodhimet vendore bujqësore dhe të tjera të jenë më të leverdisshme për konsumatorin se sa ato të importuara. Këtë po mundohet ta arrijë Franca dhe Gjermania me këtë strategji inflacioniste, dhe në këtë vagon duhet të hyjë edhe Kosova.

Duhet të kemi të qartë një gjë, shumica e masave nuk do të mund të zbusin komplet efektin e inflacionit. Kjo krizë vështirë do të kaloj pa masa tjera financiare siç ishte 100 Euroshi, të cilat duhet të jepen sigurisht edhe një ose dy herë këtë vit. Sigurisht se duhet paraparë edhe ndihma shtesë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Por misioni duhet të jetë dalja nga kriza me një sektor prodhues të brendshëm shumë më të fuqishëm.

Lajme të ngjashme