Sqarohet Molliqaj : S'ka paralele mes Qeverisë e Millosheviqit, kaq kam thënë, gjithçka tjetër është mveshje
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se nuk ka ngritur paralele mes Qeverisë së Kosovës dhe regjimit të kriminelit serb, Slobodan Millosheviq.
Molliqaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka arsyetuar deklaratën e tij të djeshme, ku mes tjerash, thoshte se situata së fundi në veri “...ka ngapak ngashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi”.
Ai ka thënë se është detyruar të sqarohet, pasi që ata që nuk arritën ta shohin deklaratën e tij në Pressing, kanë marrë vetëm copëza të shkëputura.
“Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për "serbin e ndershëm", siç kërkohej dikur "shqiptari i ndershëm. Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t'i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet”, ka thënë ai tutje.
Në fund, Molliqaj tha se kjo është deklarata e dhënë nga ai dhe se gjithçka tjetër është “mveshje”.
Reagimi i plotë i Molliqajt në Facebook:
Të dashur miq,
Sigurisht se nuk ka paralele midis asnjërës Qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.
Në atë kohe ne kemi jetuar nën segregacion, kurse serbët në Kosovë kanë të drejta të patjetërsueshme, madje përtej demografisë.
Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura.
Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për "serbin e ndershëm", siç kërkohej dikur "shqiptari i ndershëm. Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t'i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet.
Kaq kam thënë, gjithçka tjetër është mveshje.