Sondazh: Mbështetja për Trumpin bie në nivelin më të ulët në mandatin e dytë
Mbështetja nga amerikanët për punën e presidentit të tyre, Donald Trump, ka rënë në nivelin më të ulët gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Shumica dërrmuese e amerikanëve janë të brengosur se lufta e vendit të tyre me Iranin do të zgjatë shumë, sipas një sondazhi nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”, që u mbyll të hënën.
Vetëm 33 për qind e pjesëmarrësve në sondazhin 4-ditor thanë se janë të kënaqur me performancën e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa 64 për qind thanë se nuk janë të kënaqur. Mbështetja për punën e presidentit, për 2 për qind më e ulët se në një sondazh të mbyllur më herët këtë muaj dhe më e ulëta në mandatin e tij të dytë, tashmë është në nivelin e pikës më të ulët në mandatin e tij të parë, që ishte arritur në dhjetorin e vitit 2017, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rreth 80 për qind e amerikanëve, sipas rezultateve të këtij sondazhi, përfshirë 87 për qind e demokratëve dhe 71 për qind e republikanëve, thonë se përfshirja e ShBA-së në Iran “do të vazhdojë për një periudhë të zgjatur kohore”. Vetëm 16 për qind mendojnë se konflikti me gjasë do të përfundojë brenda pak javësh.
Për herë të parë në afro një dekadë, sondazhi i këtij muaji tregon se votuesit i vlerësojnë demokratët si mbrojtës më të mirë të ekonomisë sesa republikanët.