S’ka shenja se Moska është gati për koncesione domethënëse, thotë zyrtari i lartë i NATO-s - NACIONALE

S’ka shenja se Moska është gati për koncesione domethënëse, thotë zyrtari i lartë i NATO-s

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë i NATO-s tha para gazetarëve të martën se aleanca nuk sheh shenja se Rusia është e gatshme për të bërë “koncesione domethënëse” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zyrtari tha se NATO-ja i përshëndet përpjekjet e negociatorëve për ta thyer ngërçin dhe pranoi se “shumë gjëra mund të ndryshohen përreth tavolinës së bisedimeve”, raporton televizioni CNN.

“Deri në kohën që po flasim, ende nuk shohim ndonjë shenjë se pozicioni i Rusisë ka ndryshuar, ose që ata janë të gatshëm për të bërë ndonjë koncesion domethënës” – tha zyrtari.

Ai shtoi se Moska “do të mundohet që t’i rindërtojë prokurat e veta dhe të ndërhyjë në proceset e brendshme politike” në Ukrainë “pasi një marrëveshje të jetë arritur”.

Më tej, zyrtari theksoi se Rusia vazhdon t’i ketë kërkesat territoriale dhe prapë do të “synojë që të sigurohet se kapacitetet ushtarake të Ukrainës të jenë dobësuar sa më shumë që është e mundshme për ta hapur rrugën për agresion të mëtejmë”.

Lajme të ngjashme