“S’ka probleme me shkrim”: Gashi e merr mësysh Kurtin pas takimit me Pamukun, ja gabimi elementar
Analisti Shkëlzen Gashi e ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi kreu i Qeverisë kishte njoftuar se ishte takuar me shkrimtarin e njohur turk, Orhan Pamuk. Megjithatë, duket se Gashi e mori mësysh kryeministrin, sidomos kur tha se Kurti nuk kishte problem me shkrim.
Duke u shprehur në “stilin” e tij në rrjetin “Facebook”, pa përdorur asnjë shkronjë të madhe, Gashi shkroi: "një natë ju thashë: ky është më i ngritur intelektualisht sesa paraardhësit e vet sepse për dallim prej tyre, nuk ka probleme themelore siç është shkrimi e leximi. me ju pas thanë: këtë e thërret fituesi i çmimit nobel për letërsi në darkë e diskuton me të tri orë e gjysmë, ju kish ra t'lig.”
Sidoqoftë, kryeministri Kurti, mësa duket, mori mësysh. Ai nuk e shkroi si duhet fjalën “restorant”, duke shkruar “restoranin” në vend të “restorantin”.
Për më tepër, Kurti gjithashtu nuk i përshtati foljet në kohë në dy fjali. Ai shkroi “arritëm të shkruajmë” në vend të “arritëm të shkruanim” dhe “nuk i besova që […] po më fton” në vend të “nuk i besova që […] po më ftonte”.
Se Kurti vërtet bën gabime drejtshkrimore, gazeta "Nacionale" ka vërtetuar disa herë në të kaluarën. Në një fjalim që e kishte publikuar në vitin 2022, Kurti kishte bërë 55 gabime drejtshkrimore.