'S'jemi kundër gazit amerikan, por gjenë arsye pse s'po pranohet': VV i del në 'ndihmë' Rizvanollit pas kritikave, 'kurrë me Rusinë' - NACIONALE

'S'jemi kundër gazit amerikan, por gjenë arsye pse s'po pranohet': VV i del në 'ndihmë' Rizvanollit pas kritikave, 'kurrë me Rusinë'

3 orë më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë videon e ministres në detyrë, Artane Rizvanolli, duke e shoqëruar me një përshkrim ku thuhet se nuk do të jenë kurrë me Rusinë, edhe pse Qeveria Kurti nuk e ka pranuar projektin e gazit amerikan, por ka dhënë indicie se ka alternativa të tjera për furnizim me energji, edhe pse Kosova ka qenë kampione e importit të rrymës me çmime stratosferike.

Në mëngjesin e së premtes, ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, si duket me porosi të shefit, Kurtit, kishte dalë për t’u “shpëlarë”, duke thënë se nuk qenkan kundër gazit të lëngëzuar amerikan, por, për çudi, as nuk e pranojnë.

“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA-ja, siç po thuhet”, tha, ndër të tjera, Rizvanolli.

Kjo video është shpërndarë nga faqja Lëvizja Vetëvendosje në Facebook, me mbishkrimin: “Kurrë me Rusinë-as në energji e as në asnjë fushë tjetër.”

Rizvanolli, edhe pse tha se nuk janë kundër gazit amerikan, në praktikë po veprojnë ndryshe.

Ndërsa, në të njëjtën video, ajo ishte kundërthënëse, pasi jepte arsye pse nuk po e pranojnë këtë projekt amerikan.

Ajo tha se Kosova nuk e ka as përvojën dhe as infrastrukturën për t’u furnizuar me LNG, prandaj çështja e diskutimit të gazit amerikan “është përtej politikave ditore”.

“Si gjithmonë, ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë, bashkë me ekspertët e të gjitha institucioneve relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike e politike”, tha ajo.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po përballet me kritika dhe trysni, pasi është shfaqur e rezervuar për projektin amerikan të gazit, duke heshtur në vazhdimësi, edhe pse thirrjet nga amerikanët kanë qenë emergjente që Kosova të lidhet me këtë projekt, pasi, siç dihet, i vetmi burim tjetër i gazit në Evropë është Rusia.

Lajme të ngjashme