Situata me të paraburgosurit për rastin e Liridona Ademajt: ShKK del me reagim për media
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalë me reagim për media pas situatës së fundit me të paraburgosurit për vrasjen e Liridona Ademajt.
ShKK ka njoftuar se për tentim-sulmin si dhe mundësinë e dëmtimit të batanijes nga Granit Plava, do të krijohet komision hetimor.
Njoftimi:
Reagim nga SHKK
Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se personat e dyshuar për vrasjen e të ndjerës L.A, janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit kanë nivel të lartë sigurisë.
Njoftojmë se ndaj të paraburgosurit G.P, ka pasur vetëm tentim për ta sulmuar gjatë kohës së paraparë për shëtitje. Po ashtu, njoftojmë se nuk ka pasur as tentim për vetëlëndim, e as për vetëvrasje, në momentin që është vërejtur se batanija është dëmtuar, stafi ka reaguar me kohë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin dhe do të vazhdojë ta mbajë publikun e informuar.