Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon publikimin e analizave nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë, paralajmëron ndalimin e grumbullimit të qumështi - NACIONALE

Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon publikimin e analizave nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë, paralajmëron ndalimin e grumbullimit të qumështi

2 orë më parë

nga NACIONALE

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka reaguar ndaj Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me mënyrën se si, sipas tyre, janë prezantuar rezultatet e kontrolleve në sektorin e qumështit.

Në reagimin e saj, Shoqata e ka cilësuar si shqetësuese mënyrën e prezantimit të gjetjeve nga institucionet, duke theksuar se mbështet kontrollin institucional, sigurinë ushqimore dhe marrjen e masave ndaj çdo operatori që ka shkelur ligjin.

Megjithatë, sipas Shoqatës, asnjë kompani dhe asnjë sektor nuk mund të dënohet publikisht pa u publikuar analizat origjinale, dokumentacioni përkatës dhe provat e verifikueshme.

“Në konferencë u deklarua se janë marrë 495 mostra, janë analizuar 471 prej tyre dhe janë identifikuar 93 mospërputhje. Por publikut nuk iu prezantuan raportet e plota laboratorike, etiketat origjinale të produkteve, numrat e loteve, datat e mostrimit, procesverbalet dhe metodat laboratorike të përdorura”, thuhet në reagim.

Shoqata ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë dhe AUV-i të publikojnë menjëherë raportet e plota laboratorike për secilën mostër të kontestuar, emrin e produktit, prodhuesin ose importuesin, numrat e loteve, kopjet e etiketave origjinale, datën dhe vendin e marrjes së mostrave, si dhe metodat laboratorike të përdorura.

Sipas tyre, një prezantim publik apo një tabelë nuk mund të zëvendësojë raportin origjinal laboratorik.

“Pa dokumentacion të plotë, publiku nuk mund ta kuptojë se cili produkt konkret është analizuar dhe mbi çfarë prove është ngritur akuza”, thuhet në reagim.

Shoqata ka theksuar se duhet të bëhet dallim ndërmjet një produkti të pasigurt për konsum, një mospërputhjeje në etiketim, çështjeve të autorizimit apo pretendimeve për përdorimin e përbërësve të padeklaruar, pasi sipas tyre këto janë kategori të ndryshme teknike dhe juridike.

Në fund të reagimit, Shoqata ka paralajmëruar se nëse rezultatet e plota të analizave dhe dokumentacioni përkatës nuk publikohen deri më 12 gusht 2026, qumështoret do të detyrohen të ndalojnë grumbullimin e qumështit.

“Shoqata nuk mbron asnjë shkelje. Kushdo që ka mashtruar konsumatorin duhet të përgjigjet para ligjit. Por kundërshtojmë dënimin publik pa prova dhe krijimin e një atmosfere ku i gjithë prodhimi vendor paraqitet si i dyshimtë”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

PUBLIKONI PROVAT, JO VETËM PREZANTIMET!

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me mënyrën se si Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i kanë prezantuar rezultatet e kontrolleve në sektorin e qumështit.

Ne e mbështesim plotësisht kontrollin institucional, sigurinë ushqimore dhe marrjen e masave ndaj çdo operatori që ka shkelur ligjin. Megjithatë, asnjë kompani dhe asnjë sektor nuk mund të dënohet publikisht pa u publikuar analizat origjinale, dokumentacioni përkatës dhe provat e verifikueshme.

Në konferencë u deklarua se janë marrë 495 mostra, janë analizuar 471 prej tyre dhe janë identifikuar 93 mospërputhje. Por publikut nuk iu prezantuan raportet e plota laboratorike, etiketat origjinale të produkteve, numrat e loteve, datat e mostrimit, procesverbalet dhe metodat laboratorike të përdorura.

Një tabelë apo prezantim publik nuk mund ta zëvendësojë raportin origjinal laboratorik. Pa dokumentacion të plotë, publiku nuk mund ta kuptojë se cili produkt konkret është analizuar dhe mbi çfarë prove është ngritur akuza.

Gjithashtu, duhet të bëhet dallim i qartë ndërmjet një produkti të pasigurt për konsum, një mospërputhjeje në etiketim, një çështjeje autorizimi dhe pretendimit për përdorimin e një përbërësi të padeklaruar. Këto janë kategori të ndryshme teknike dhe juridike dhe nuk mund të paraqiten të gjitha si rrezik për shëndetin publik.

PRANDAJ, KËRKOJMË QË MINISTRIA DHE AUV-I TË PUBLIKOJNË MENJËHERË:

 Raportin e plotë laboratorik për secilën mostër të kontestuar;

 Emrin e produktit, prodhuesin ose importuesin dhe numrin e lotit;

 Fotografinë dhe kopjen e etiketës origjinale;

 Datën, vendin dhe procesverbalin e marrjes së mostrës;

 Metodën laboratorike dhe statusin e akreditimit;

 Listën e plotë të 93 mospërputhjeve;

 Sqarimin për dallimin ndërmjet 495 mostrave të marra dhe 471 të analizuara;

 Ndarjen ndërmjet produkteve vendore, produkteve të importuara dhe preparateve me yndyrë bimore.

Shoqata nuk mbron asnjë shkelje. Kushdo që ka mashtruar konsumatorin duhet të përgjigjet para ligjit. Por kundërshtojmë dënimin publik pa prova dhe krijimin e një atmosfere ku i gjithë prodhimi vendor paraqitet si i dyshimtë.

Pasojat nuk i bart vetëm një kompani. Ato i bartin fermerët, punëtorët, furnitorët vendorë dhe kompanitë që kanë investuar miliona euro. Dëmtimi i besimit te prodhimi vendor i hap edhe më shumë hapësirë produkteve të importuara.

NE, SI QUMËSHTORE, DEKLAROJMË SE NËSE REZULTATET E PLOTA TË ANALIZAVE DHE DOKUMENTACIONI PËRKATËS NUK PUBLIKOHEN DERI MË 12 GUSHT 2026, DO TË DETYROHEMI TA NDALIM GRUMBULLIMIN E QUMËSHTIT.

Lajme të ngjashme