Shkon në mbi 1.100 numri i të vdekurve nga vërshimet në Azi, qindra të tjerë të zhdukur - NACIONALE

Shkon në mbi 1.100 numri i të vdekurve nga vërshimet në Azi, qindra të tjerë të zhdukur

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Sri-Lanka dhe Indonezia kanë dislokuar personel ushtarak për t’u dalë në ndihmë viktimave të vërshimeve shkatërruese që kanë lënë më shumë se 1.100 njerëz të vdekur në katër shtete të Azisë.

Miliona njerëz janë prekur nga një kombinim i cikloneve tropikale dhe shiut të dendur të periudhës së reshjeve ditëve të fundit në Sri-Lankë, në disa pjesë të Sumatras së Indonezisë, në Tajlandë dhe në Malajzi, raporton gazeta “The Guardian”.

Në Indonezi, të paktën 604 njerëz e kanë humbur jetën dhe 464 të tjerë mbeten të zhdukur, sipas agjencisë kombëtare për menaxhimin e katastrofave. Në Sri-Lankë, numri i të vdekurve është 366 e i të zhdukurve 366. 176 viktima janë raportuar në Tajlandë e tri në Malajzi.

Presidenti indonezan, Prabowo Subianto, tha se “më e keqja ka kaluar, shpresoj”. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në provincën e Sumatrës Veriore të hënën, duke shtuar se autoritetet janë të përqendruara te shpërndarja e ndihmave.

Tri luftanije e dy anije me spitale si dhe disa aeroplanë janë dërguar për të transportuar ndihma dhe asistencë në zonat më të prekura, ku përpjekjet për shpëtim janë vështirësuar nga rrugët e bllokuara, urat e shembura dhe pengesat e tjera në linjat e komunikimit.

Këto vërshime janë katastrofa më vdekjeprurëse në Indonezi që nga tërmeti i vitit 2018 dhe cunami që kishte pasuar, kur në Sulawesi kishin mbetur të vdekur më shumë se 2.000 njerëz.

Sri-Lanka e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka bërë thirrje për ndihma ndërkombëtare pas ciklonit “Ditwah”, i cili detyroi 148 mijë njerëz që të evakuoheshin në strehimore të përkohshme.

Lajme të ngjashme