SHBA-ja rrit presionin ndaj Vuçiqit: Kërkohen sanksione ndaj zyrtarëve serbë që cenojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor - NACIONALE

SHBA-ja rrit presionin ndaj Vuçiqit: Kërkohen sanksione ndaj zyrtarëve serbë që cenojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

2 orë më parë

nga NACIONALE

Dy kongresmenë amerikanë, republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, kanë paraqitur një projektligj që parasheh sanksione dhe ndalime vizash ndaj zyrtarëve që minojnë demokracinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Nisma vjen në kohën kur Vuçiq përballet me protesta masive studentore, të cilat nisën pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona,

Protestuesit e kanë lidhur tragjedinë me korrupsionin dhe keqmenaxhimin e projekteve publike. Kongresmeni Joe Wilson ka akuzuar qeverinë serbe për largim nga sundimi i ligjit dhe për afrimin e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, raporton the Hill.

Ndërkaq, demokrati Bill Keating ka kërkuar që lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe demokracia të jenë në qendër të politikës amerikane ndaj Serbisë.

Projektligji kërkon që autoritetet serbe të hetojnë tragjedinë në Novi Sad dhe të mbajnë përgjegjësit para drejtësisë.

Në dokument shprehet shqetësim edhe për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe gjendjen e lirisë së medias e të tubimit në Serbi.

Katër kërkesat ndaj Beogradit

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë që Serbia: Të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme; të luftojë korrupsionin dhe të forcojë sundimin e ligjit; të respektojë lirinë e medias dhe të tubimit; të kufizojë lidhjet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Në rast se nuk ka përparim në këto fusha, projektligji parasheh mundësinë e ndërprerjes së dialogut strategjik SHBA–Serbi dhe kufizimit të financimit të lidhur me të.

Presioni vjen vetëm pak kohë pasi SHBA-ja dhe Serbia zhvilluan dialogun e tyre të parë strategjik.

Lajme të ngjashme