Scholz-i “i bie hundëve” Orbanit: Kushdo që mendon se mund t’i minojë vlerat e BE-së, do të dështojë - NACIONALE

Scholz-i “i bie hundëve” Orbanit: Kushdo që mendon se mund t’i minojë vlerat e BE-së, do të dështojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është i bashkuar për përkrahjen e tij për Ukrainën, tha në parlamentin gjerman kancelari Olaf Scholz, duke shtuar se përpjekjet për t’i minuar vlerat e bllokut përmes bllokimit të masave të politikës së jashtme do të dështojë. Ky koment i kancelarit gjerman ishte referencë e qartë ndaj Hungarisë.

“Kushdo që mendon se ai mund t’i minojë vlerat e BE-së, ndaj të cilave secili shtet anëtar e ka zotuar veten, përmes bllokimit të politikave të jashtme dhe të sigurisë të saj, do të dështojë”- tha kancelari Scholz para deputetëve gjermanë të mërkurën.

Hungaria këtë javë i tërhoqi ankesat për një hua të BE-së për Ukrainën pas shkrirjes së pjesshme të përkrahjes financiare për Budapestin. BE-ja i kishte bllokuar fondet për Hungarinë për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit.

Kancelari gjerman tha se përkrahja për Ukrainën, përfshirë sanksionet kundër Rusisë, do të mbetet dhe do të shpeshtohet aq gjatë sa presidenti rus, Vladimir Putin, ta vazhdojë luftën kundër Ukrainës.

“Askush nuk është duke vuajtur aq shumë sa ukrainasit nga lufta e Rusisë dhe ne qëndrojmë në mënyrë të vendosur në anën e tyre”- tha shefi i qeverisë gjermane.

Lajme të ngjashme