Sali Berisha ankohet se policia mbrëmë në Tiranë “gjuajtën gaz lotësjellës të skaduar”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Policinë e Shtetit për ushtrim dhune ndaj qytetarëve gjatë protestës së djeshme, duke pretenduar se ndaj protestuesve është përdorur edhe gaz lotsjellës i skaduar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se protesta u karakterizua nga pjesëmarrja e madhe e të rinjve, të cilët i cilësoi si faktor vendimtar për ndryshimin politik në vend.
Sipas tij, protesta u dominua nga rinia, energjia dhe vendosmëria e saj, çka, siç u shpreh, përbën një shenjë shprese për të ardhmen. Berisha akuzoi qeverinë dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit se kanë përdorur dhunë të tepruar, përfshirë gaz lotsjellës të skaduar, topa uji dhe mjete të tjera, ndaj protestuesve paqësorë.
Ai tha se disa qytetarë janë goditur, ndaluar dhe arrestuar në mënyrë brutale, duke i cilësuar këto veprime si shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.