Rusia ua ofron shtetësinë të huajve që luftojnë për të në Ukrainë dhe familjeve të tyre
Presidenti rus, Vladimir Putin, lëshoi të enjten një dekret me të cilin lejohet dhënia e shtetësisë të huajve që luftojnë për Rusinë në Ukrainë dhe familjeve të tyre.
Në urdhër thuhet se personat që kanë nënshkruar kontrata gjatë atij që Moska e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë, mund të aplikojnë për pasaporta ruse për vete, bashkëshortet, fëmijët dhe prindërit e tyre. Ata duhet të paraqesin dokumente që tregojnë se kanë nënshkruar kontratë të paktën për një vit, raporton agjencia “Reuters”.
Në mesin e atyre që mund të aplikojnë për pasaporta ruse janë personat që kanë nënshkruar kontrata me forcat e armatosura të rregullta ose me “formacione ushtarake” të tjera – përshkrim që mund të vlejë për grupet si “Wagner”-i.
Duket se qëllimi i këtij vendimi është që të dhurohen masa nxitëse shtesë për të huajt që kanë përvojë ushtarake që të aplikojnë për t’iu bashkuar rangjeve ruse.
Moska nuk i publikon të dhënat për numrin e të huajve që luftojnë në anën e saj në Ukrainë. Megjithatë, agjencia “Reuters” më parë ka raportuar për disa kubanë që kishin nënshkruar për t’u bërë pjesë e ushtrisë ruse në këmbim të bonuseve me vlerë mbi 100 fish më të lartë se paga mesatare në Kubë.