Rrezikohet Serbia nga BE-ja me pezullim të liberalizimit të vizave
Serbia është e rrezikuar të i pezullohet liberalizimi i vizave, për shkak të rritjes së madhe të emigrantëve që shkojnë në BE nga ky shtet.
Kështu ka bërë të ditur komisionarja e për Punë të Brendshme e bllokut evropian, Ylva Johanson, gjatë diskutimit për rritjen e numrit të emigrantëve përmes asaj që njihet si “Rruga Ballkanike” së bashku me ministrat e brendshëm të shteteve të BE-së në Luksemburg.
“Shpresoj se Serbia dhe partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor do të bashkëpunojnë me ne dhe do të përshtatin regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së. Por, në këtë moment kjo nuk është diçka që mund të përjashtohet”, tha komisionarja Johanson në prag të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së.
Johanson gjithashtu theksoi se qytetarët nga Kuba Burundi, India dhe vendet tjera vijnë në numër më të madh në BE përmes Ballkanit, dhe shtoi se me këtë çështje duhet të merren të gjithë.
“Ajo që bën Komisioni Evropian, e në këtë drejtim do të punojë edhe më shumë, është që mesazhi të arrijë deri te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor se na duhet përshtatje e regjimit të vizave, në mënyrë që të ndalet vala e atyre që vijnë pa viza në Ballkan dhe vazhdojnë drejt BE-së”, tha komisionarja Johanson.
Edhe ministri i Brendshëm i Çekisë, Vit Rakushan, ka folur për çështjen e rritjes së numrit të emigrantëve që shkojnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor.
“Po shoh numër gjithnjë e më të madh të emigrantëve të cilët në BE po vijnë përmes ‘Rrugës së Ballkanit Perëndimor’ dhe ne po i shohim pasojat në secilin kënd të BE-së”, tha Rakushan.