Rrahman Jasharaj: Nagavci është dashur t’u kërkojë falje prindërve e mësimdhënësve
Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci do të duhej të kërkonte falje te prindërit dhe mësimdhënësit pas situatës së krijuar me librat shkollorë.
Në një prononcim për “Telegrafi”, ai ka deklaruar se ky është komplikim i radhës, duke folur edhe për problemet në “E-Kosovo” për aplikim.
“Ky është një komplikim i radhës dhe unë po them që MASHTI lë të bëj çfarë të dojë, pasi Nagavci në takimin e dytë më mediat është dashur të kërkoj falje prindërve dhe mësimdhënësve për gjërat që kanë ndodhur me tekstet shkollore. Tash e kemi një komplikim në e-Kosova për rimbursim të teksteve shkollore. Kjo po krijon telashe ngase siç e lexova nga mediat, pasi me MASHTI-in nuk kemi ndonjë komunikim për shkak të qëndrimeve të Nagavcit, se ajo mendon që vet duhet të bëj gjithçka për arsimin e kjo po i del gabim.” – citohet të ketë thënë ai.
Ai ka përmendur edhe vërejtjet e prindërve që nuk patën mundësi të aplikojnë për shkak të moshës së fëmijëve.
“Kishte vërejtje të prindërve që fëmijët e tyre në gjysmën e shtatorit do t’i bëjnë vitet për tu regjistruar në klasën e parë dhe ata nuk kanë mundësi të aplikojnë, pastaj nuk janë 100 ose 200, por janë mbi 100 mijë prindër që duhet të aplikojnë për këtë rimbursim.” – tha ai.