Rizvanolli: Subvencionimi i energjisë për qytetarët do t'i kushtojë Qeverisë afro gjashtë milionë euro
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka prezantuar masat për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët.
Sipas Rizvanollit, ky subvencionim do t'i kushtojë Qeverisë afto gjashtë milionë euro.
“Nga sot, kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve eficente ekonomike për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet të cilat përfshijnë subvencionimin përfshijnë: Kalldajat me biomasë, dru, pelet, briket të cilat do të subvencionohen në masë deri në 70 për qind të vlerës së investimit, ose deri në 1.200 euro”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se nga ky subvencionim do të përfitojnë 10 mijë familje.
“Pompat termike do të subvencionohen deri në 2.500 euro, ose në vlerë 30 për qind. Kondicionerët efiçentë do të subvencionohet deri në 40 për qind të vlerës ose deri në 400 euro. Stufat individuale efiçente me biomasë, drunj, të cilat për familjet të cilat janë me skemë të asistencë sociale do të subvencionohen deri në 560 euro, në vlerë 90 për qind”, shtoi ministrja.
Aplikimi për këto masa bëhet online përmes platformës e-kosova. Ministrja ka kërkuar nga qytetarët që të ofrojnë ide kreative dhe opsione të tjera se si duhet të kursehet energjia.