REL: Kurti dhe Vuçiq takohen të dielën pasdite, ose të hënën në mëngjes
Takimi mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të mbahet të dielën, ose të hënën.
Radio Evropa e Lirë, edicioni në gjuhën serbe, duke cituar burime në Bruksel, raporton se data e saktë varet nga konfirmimi dhe disponueshmëria e palëve.
Siç thuhet tutje në raportimin e këtij mediumi, nëse takimi zhvillohet të dielën, mund të zhvillohet pasdite, ndërsa nëse zhvendoset për të hënën, liderët takohen në mëngjes.
Kurti e Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të diskutojnë për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së targave.
Kryediplomati evropian, Josep Borell, të hënën deklaroi se zgjidhja duhet të arrihet para 21 nëntorit, në mënyrë që të dilet nga kriza.
"Ne po punojmë për një zgjidhje të mirë për të dalë nga kjo krizë”, tha Borell mes tjerash.
Kujtojmë që ShBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar në vazhdimësi që të shtyhet afati i zbatimit të reciprocitetit për targa.
Madje Gjermania e cilësoi si absurde të rrezikohet një konflikt i dhunshëm për targa, ndërsa Italia e quajti budallallëk një këmbëngulje të tillë nga ana e Qeverisë Kurti.
Dje, krejt papritmas, 9 deputetë të Listës Serbe u betuan në Kuvendin e Kosovës, të cilin regjistrim e quajtën thjesht një vendim strategjik për të penguar Kurtin për të ndryshuar Kushtetutën.

