Reçica i reagon Feratit: Po shpifni për foton me Ramën gjatë zgjedhjeve, jemi takuar në ceremoninë përkujtimore të Fehmi dhe Xheve Lladrovci
Elmi Reçica nga PDK i ka reaguar kryetarit të Istogut, Ilir Ferati, lidhur me akuzat që ky i fundit i ka bërë kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, duke thënë se në ditën e zgjedhjeve kishte publikuar fotografi me deputetin e PDK-së.
Reçica tha se këto janë të pavërteta dhe shpifje nga Ferati.
Tutje, Reçica ka thënë se me Ramën janë takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore të rënies heroike të Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci.
“E vërteta është shumë e thjeshtë. Me Përparim Ramën jam takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore të organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit me rastin e ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci”, tha Reçica.
Reçica i bëri thirrje Feratit që “ta demantojë këtë shpifje”.
“I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike”, shkroi ai.
Ndryshe, Ferati ka deklaruar mbrëmë në ‘kanal 10’ se Përparaim Rama “nuk është i LDK-së”, duke përmendur veprime të kryetarit të Prishtinës, që sipas tij, nuk i kanë shërbyer partisë.
“Çka mua më duhet të them është që nuk i shërbehet LDK-së nëse ti të dielën në mëngjes ti e publikon një fotografi me Elmi Reçicën. Ditën e zgjedhjeve. Nuk është shërbim ndaj LDK-së ky, as nuk është thirrje për votuesin e LDK-së – është e kundërta”, ka thënë ai.
Postimi i plotë i Reçicës:
“Me keqardhje kam përcjellë deklaratat e pavërteta dhe shpifëse të bëra nga Ilir Ferati në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ka pretenduar se kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi me mua. Ky pretendim është tërësisht i rremë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt.
Fillimisht dua të theksoj se unë dhe Partia Demokratike e Kosovës jemi të interesuar që LDK-ja të jetë një parti stabile dhe e qëndrueshme, sepse i duhet vendit dhe demokracisë sonë. Zhvillimet e brendshme në LDK janë çështje ekskluzive e tyre dhe nuk lejoj në asnjë mënyrë që emri im të përdoret për shpifje, manipulime apo sulme politike ndaj kujtdo brenda asaj partie.
E vërteta është shumë e thjeshtë. Me Perparim Ramën jam takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore e organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit me rastin e ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci.
Në atë ngjarje, të organizuar me përkushtim të veçantë, Perparim Rama mbajti një fjalim enciklopedik kushtuar veprës dhe sakrificës së heronjve tanë. Fotografia e publikuar i përket pikërisht atij organizimi dhe jo ditës së zgjedhjeve, siç është pretenduar në mënyrë të pavërtetë nga Ilir Ferati.
I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike.
Për transparencë të plotë, po bashkëngjis edhe videon origjinale të asaj dite, të publikuar nga portali Prishtina Sot, e cila dëshmon qartë të vërtetën dhe i hedh poshtë pretendimet e bëra nga Ilir Ferati”.