Raportohet për 16 të vrarë në Gaza nga sulmet izraelite nga mesnata
Agjencia e Mbrojtjes Civile, e cila drejtohet nga Hamasi, tha se të paktën 16 njerëz u vranë nga mesnata e së premtes në pjesë të ndryshme të Gazës, ku ushtria izraelite e ka intensifikuar ofensivën ditëve të fundit.
Zyrtari i kësaj agjencie, Mohammed al-Mughayyir, i tha agjencisë së lajmeve AFP se këto sulme, të cilat gjithashtu lanë të lënduar dhjetëra njerëz, i kishin në shënjestër kryesisht pjesët qendrore dhe jugore të enklavës palestineze, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Në shifrat e viktimave që paraqiten nga Hamasi nuk bëhet dallimi mes viktimave civile dhe luftëtarëve.
Forca Ajrore e Izraelit goditi më shumë se 75 caqe në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit, tha ushtria izraelite.
Sipas ushtrisë, në mesin e caqeve ishin operativë terrori, raketahedhës, ndërtesa të përdorura nga grupe terroriste, depo armësh dhe pjesë të tjera të infrastrukturës.
Ndërkohë, ushtria tha se trupat tokësore vranë disa militantë në pjesë të ndryshme të Gazës dhe shkatërruan objekte të Hamasit.