Rada Trajkoviq: Vuçiqi shtyu serbët në veri drejt aktiviteteve të paligjshme
Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka vazhduar me sulmet e pareshtura ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
Në një paraqitje televizive, znj. Trajkoviq ka dënuar fuqishëm veprimet politike të lidershipit politik serb.
“Me një politikë të pamatur, serbët në veri u shtynë në aktivitete të paligjshme. Kërkesat e tyre zhvlerësohen sa herë që lidhen me dhunën dhe stabilizimin,” – ka thënë znj. Trajkoviq me anë të një postimi në Twitter ku ka paraqitur edhe videon nga praqitja e saj televizive.
“Kush ka pasur vlerësim të gabuar në këtë rast? Kush ka marrë vendim të gabuar? Dihet,” – ka shkruar ajo.
Kujtojmë se Trajkoviq është bërë shënjestur e një fushate tmerruese linçimesh në televizionet serbe të kontrolluara nga regjimi i presidentit Vuçiq.
Trajkoviq aktualisht kryen funksionin e këshilltares së ministrit Nenad Rashiq në Qeverinë Kurti II.
